Kategorit e mia

Diabeti

Vitet e fundit diabeti është bërë një nga sëmundjet më të frikshme, me tendencë të lartë për të prekur edhe moshat e reja. Mosushqyerja në mënyrën e duhur, ushqimet me hormone, jeta sedentare, si dhe një mori arsyesh të tjera, kanë bërë që numri i diabetikëve të arrijë nivele të larta, edhe pse nuk kemi ende raportime të sakta nga institucionet shtetërore përkatëse.

Çfarë është diabeti, cilët janë shkaktarët?
Diabeti i sheqerit (diabetes mellitus) është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve (sheqernave), yndyrave dhe proteinave. Ky çrregullim apo më mirë të themi, kjo sëmundje vjen si pasojë e defektit të sekretimit të insulinës, të veprimit të saj, të dyjave bashkë ose mungesës së plotë të sekretimit të insulinës, i cili është një hormon, që me të drejtë konsiderohet çelës për futjen e glukozës në qelizë. Prandaj, kur merren në konsideratë të gjitha këto karakteristika të këtij çrregullimi, mund të themi që organizmi tek diabetikët nuk funksionon normalisht, pikërisht për të gjitha ato që thashë më lart, rreth veprimit të insulinës, hormon që sekretohet normalisht nga pankreasi.

Kjo sëmundje dëmton sytë, zemrën; preken vazat e vogla dhe të mëdha të gjakut, nervat, pastaj preken organe të tjera tepër të rëndësishme për organizmin tonë, siç është veshka dhe truri. Të gjitha këto dëmtime në organe dhe sisteme organesh, vijnë si rezultat i rritjes së sheqerit në gjak, nga mosmbajtja nën kontroll e kësaj sëmundjeje, e cila 50% është e varur nga vetëkujdesi, që duhet të bëjnë pacientët diabetikë në marrjen e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetin e rregullt fizik, terapinë personale, si dhe nëse është e nevojshme marrja e rregullt e insulinës.

Ndryshoni stilin e jetës!
Përderisa ata janë të diagnostikuar me sëmundjen e diabetit, sa më herët të binden që duhet t’i përshtaten kërkesave për ndryshimin e stilit të jetës, aq më mirë. E kur jemi te ky ndryshim i stilit të jetës, mendoj për marrjen e ushqimit të shëndetshëm, aktiviteti i rregullt fizik çdo ditë ose të paktën 2-3 herë në javë (këtu e kam fjalën për aktivitete të ndryshme fizike, ose së paku ecja e 2-3 herë në javë, minimalisht 20 minuta), kontrolli i rregullt i glikemisë, si dhe marrja e vazhdueshme e terapisë së diabetit. Ndërsa, personat të cilët nuk janë të sëmurë nga diabeti, por janë në rrezik të madh për të zhvilluar sëmundjen, këtu e kam fjalën për personat me mbipeshë dhe obezë, ata me histori familjare për diabet duhet gjithashtu të kenë kujdes, duke e ndryshuar stilin e tyre të jetës, pra të marrin ushqim të shëndetshëm dhe të praktikojnë aktivitet të rregullt fizik, në mënyrë që të mos e fitojnë këtë sëmundje, ose të paktën të zgjasin kohën e fillimit të saj.

Team surgeon at work in operating room.

Kirurgjia bariatrike përmirëson diabetin
Shërimi me operacion, e ashtuquajtura kirurgjia bariatrike, tanimë është realitet në vendet e zhvilluara, si dhe në rajon. Kjo ndërhyrje operatore tek pacientët obezë dhe me diabet tip 2, bën shërimin e përhershëm të sëmundjes tek 95% të pacienteve të tillë. Me këtë ndërhyrje operatore, nënkuptohen disa tipe të operimeve, të cilat kanë për qëllim fillimisht zvogëlimin e lukthit, pastaj lidhjen apo bajpasin e këtij lukthi të vogël me zorrën e hollë, duke bërë në këtë rast të mundshëm nevojën për më pak ushqime dhe zvogëlimin e sipërfaqes përthithëse. Por, jo të gjithë pacientët obezë dhe me diabet tip 2 mund t’i nënshtrohen këtij operimi.

Sigurisht që ka kritere për t’iu nënshtruar operimit dhe mbi të gjitha, suksesi më i madh është te pacientët, të cilët kanë pak kohë që janë diagnostikuar me këtë sëmundje. Kjo ndërhyrje është lejuar nga IDF (International Diabetes Federation) që në vitin 2011, si një nga opsionet e trajtimit të diabetit tip 2. shpjegimi se si kjo metodë bën të shërohet diabeti, ka pasur diskutime në nivel hipotezazh, duke pasur mendime se shërimi mund të vijë nga ulja e peshës. Mirëpo, kjo është hedhur poshtë nga studimet e fundit, të cilat bazohen në efektet metabolike, të cilat ndodhin në organizëm qysh në ditët e para pas këtij operimi, pra ende pa humbur peshë mirë, pas këtij operimi niveli i sheqerit në gjak është i normalizuar, gjegjësisht nevoja për barna është zero. Prandaj, ky lloj operimi sot quhet edhe kirurgjia metabolike.

Cilat janë vlerat normale dhe kur duhet të shqetësohemi?
Ekziston një grup i individëve, të cilët kanë tolerancë të dëmtuar të glukozës esëll, që do të thotë glikeminë e mëngjesit e kanë >5.6 mmol/L (ose 100 mg/dL), por <7mmol/L(ose 126 mg/dL), ose një grup tjetër, të cilët kanë glikeminë pas dy orë nga testi i ngarkesës me glukozë i quajtur OGTT mbi 7.8 mmol/L (ose 140 mg/dL) dhe më pak se 11.1 mmol/L (ose 200 mg/dL). Këto dy grupe njerëzisht njihen edhe me termin paradiabetik, pra janë të rrezikuar për të zhvilluar sëmundjen dhe po qe se bëjnë një jetë të shëndetshme, pra ato që i diskutuam më lart, ky rrezik zvogëlohet, ose të paktën zgjatet koha e shfaqjes së diabetit. Sigurisht, me këto intervenime, pra me ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin e rregullt fizik, mund të normalizohen edhe nivelet e glikemive kufitare.

test-glicemie

Nëse një person është diagnostikuar si diabetik, si formë e trajtimit fillimisht është ndryshimi i menjëhershëm i stilit të jetës, pra kujdesi i përpiktë në marrjen dhe zgjedhjen e ushqimit të shëndetshëm dhe aktiviteti fizik. Pastaj, nëse kjo formë e trajtimit nuk funksionon fillohet me mjekimin me barna, nëse është diabet tip 2. Nëse është diabet tip 1, duhet të fillohet menjëherë me insulinë. Ndryshimi mes këtyre tipeve qëndron në rezistencën e veprimit të insulinës ose pakësimin e sekretimit të saj, që është karakteristikë e tip 2, si dhe mungesën e plotë të sekretimit të insulinës që është tip 1.

Ilaçet për diabetikët, çfarë efektesh anësore kanë?
Si çdo bar apo ilaç tjetër, edhe ato, të cilat aplikohen për trajtimin e diabetit tip 2, kanë disa efekte anësore, të cilat shpesh janë të pavërejtura nga pacientët dhe rrallë mund të detyrojnë pacientët t’i ndërpresin ato. Efektet anësore më të shpeshta janë hipoglikemia apo rënia e sheqerit në gjak, si dhe problemet gastrointestinale si nauze, vjellje dhe diarre.

Cila është forma më e rëndë e një personi me diabet?
Forma më e rëndë e një personi me diabet janë gjendja apo koma ketoatotike, si dhe koma hiperosmolare. Të dyja njihen si koma diabetike, të cilat karakterizohen me glikemi tepër të larta, gjendje dehidrimi dhe shpesh humbje e vetëdijes dhe po nuk u intervenua urgjent, mund të jenë kërcënuese për jetën. Gjithashtu, edhe komat hipoglikemike që karakterizohen me glikemi tepër të ulët dhe humbje të vetëdijes janë po njëlloj kërcënuese. Prandaj, edukimi i pacientëve me diabet është mjaft i rëndësishëm, pikërisht për t’iu shmangur këtyre gjendjeve, të cilat janë pasojë e mjekimit jo të rregullt.

Një i sëmurë me diabet ka imunitet më të ulët
Tek diabetikët sistemi imunitar është i dëmtuar dhe si rezultat i kësaj, diabetikët shpesh janë të prirur të kalojnë gjendje gripoze apo infeksione bakteriale dhe mykotike. Kjo ka disa shpjegime, por më së shpeshti ndodh që këto mikroorganizma bëhen me virulent apo më infeksiozë në një ambient me glikemi të larta. Një diabetik, i cili kujdeset për sëmundjen e tij në një mënyrë të vazhdueshme në të gjitha aspektet, përveç mjekimit me barna, ai ka të njëjtën jetëgjatësi si një person që nuk ka diabet, por kjo nuk ndodh shpesh, sidomos në popullatën tonë. Ndërsa, po nuk u kujdesën mirë për sëmundjen dhe po patën vazhdimisht glikemi të parregullta, sigurisht që kjo ndikon edhe në jetëgjatësinë e këtyre pacientëve. Dhe kjo është rezultat i komplikimeve, të cilat paraqiten e sidomos ato kardiake dhe të veshkave, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetëgjatësinë e diabetikëve.

Cilët janë armiqtë më të mëdhenj të kësaj sëmundjeje?
Diabetiket paralelisht mbajtjes nën kontroll të glikemisë, duhet të kenë në normë edhe nivelin e yndyrave në gjak, sepse diabeti është një sëmundje metabolike. Prandaj rekomandohet të jenë të kujdesshëm në konsumimin e ushqimeve që kanë për bazë yndyrat bimore, ose ato të pasura me yndyra esenciale e që janë të pranishme në vajin e peshkut, vajin e ullirit, lule diellit dhe misrit. Ndërsa, sa i përket mishit dhe produkteve të tij, diabetikët duhet të konsumojnë jo më shumë se dy herë gjatë javës mish të kuq gjatë drekës, ndërsa ditët e tjera mish pule dhe mundësisht një herë në javë, peshk. Proteinat janë të nevojshme çdo ditë të konsumohen, por jo detyrimisht ato shtazore. Unë vazhdimisht u rekomandoj pacienteve të mi të konsumojnë proteinat bimore, të cilat mund të gjenden tek bizelja, soja, fasulja, brokoli dhe perime tjera. Mishi i kuq përveç proteinave ka sasi mjaft të madhe të yndyrave shtazore prandaj nuk rekomandohet të konsumohet shpesh. Gjithashtu pacientët të cilët kanë dëmtim të funksionit të veshkave duhet të marrin sasi të kufizuar të proteinave shtazore, sepse në të kundërtën e përkeqësojnë edhe më tutje këtë funksion.

dt_140611_doctor_patient_counseling_talk_800x600

Sa kalori duhet të marrë një person me diabet në ditë?
Është individuale, sepse kaloritë ditore varen nga gjatësia dhe pesha trupore, mosha, gjinia dhe aktiviteti fizik ditor. Të gjitha këto komponentë përbëjnë metabolizmin bazal individual, pra nevojat energjetike ditore. Por mesatarisht për diabetikët rekomandohet të konsumojnë diku mes 1600-2000 kcal/ditë. Nëse të sëmurët me diabet janë obezë, rekomandohen të fillojnë të humbin peshë, afërsisht për një periudhë 6 mujore, diku 10% me pak nga pesha e tyre aktuale dhe kështu të vazhdojnë deri në peshën e tyre të rekomanduar nga mjeku endokrinolog.

Ecja apo ushtrimet fizike, të domosdoshme
Aktiviteti fizik është i domosdoshëm për diabetikët, sepse ndihmon shumë në kontrollin e glikemisë, pengon shtresimin e vazava të gjakut me yndyra, si dhe ndikon pozitivisht në aspektin psikologjik të të sëmurëve. Rekomandohet që, së paku 3 herë në javë, për 20-30 minuta në ditë, të aplikohet aktvitet fizik. U rekomandoj të gjithë diabetikëve, që të paktën të praktikojnë ecjen e shpejtë, ose vrapin e lehtë. Diabetikët që kanë dëmtime në këmbë, hipoglikemi, komplikime kardiovaskulare, duhet të kenë kujdes në llojin e aktivitetit fizik dhe duhet të këshillohen nga mjeku i tyre, se kur mund të fillojnë përsëri me aktivitetin fizik.

Ushqimi i shëndetshëm për të prekurit me këtë sëmundje
Fillimisht rekomandohet konsumimi në racionet kryesore i bukës integrale, pra me përmbajtje të bollshme të fibrave. Pastaj qumështi dhe produktet e tij duhet të jenë me yndyra të reduktuara, pra diku me 1.5% përmbajtje të kolesterolit. Mishi dhe produktet e tij duhet të jenë me përbërje të ulët të yndyrës, kryesisht i zier dhe i përgatitur me pak yndyrë. Mundësisht të konsumohet mishi i shpezëve, kryesisht i pulave dhe sa më rrallë mishi i viçit. Ndërsa, peshku sa më shpesh. Perimet dhe pemët duhet të jenë çdo ditë në tavolinën e diabetikëve, për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrave. Vajrat që përdoren duhet të jenë kryesisht me përmbajtje bimore. Duhet të shmangen brumërat, lëngjet e gazuara dhe ato që gjendet sot në treg, sepse kanë përmbajtje të lartë të sheqernave. Të konsumohen frutat në vend të lëngjeve dhe të merret sasi e mjaftueshme e ujit natyral, deri në 6 gota të zakonshme të ujit në ditë, qoftë si ujë i thjeshtë ose çajra bimore.

foto_insulin

Insulina me efekte të jashtëzakonshme
Insulina është trajtimi me fiziologjik ose më i përshtatshëm për diabetikët, të cilët nuk kanë më rezervat e domosdoshme për të mbajtur glukorregullimin. Insulina ka efekte të jashtëzakonshme në organe dhe sisteme të organeve, përveç efektit në metabolizmin e karbohidrateve. Pacientët me diabet shpesh rezistojnë, kur u themi se kanë mbaruar me rezervat e pankreasit të tyre dhe se duhet të fillojnë të mjekohen me insulinë. Insulina në mënyrë të shpejtë përmirëson gjendjen shëndetësore.

Sigurisht, që përveç organeve tjera, jashtëzakonisht mirë ndikon edhe në përmirësimin e funksionit të trurit. Insulina në tru nxit kapjen e glukozës nga neuronet, sidomos të atyre fushave që janë përgjegjëse për kujtesën. Gjithashtu insulina përforcon lidhjen mes këtyre neuroneve. Gjatë kohës që një diabetik ka glikemi të lartë, ka dëmtime pikërisht në nivel të këtyre neuroneve, pra në qeliza të trurit që manifestohen me shenja të dukshme, si nervozitet, depresion, axhitim e deri në humbje të vetëdijes.

Kur një i prekur nga sëmundja mund të pësojë komë diabetike, çfarë duhet të bëjmë?
Kur diabetiku pëson komë diabetike apo ndryshe gjendje të ketoacidozës, apo komës hiperosmolare, apo humbje e vetëdijes nga glikemia tepër e lartë, gjëja e parë që duhet bërë është dërgimi i të sëmurit në qendrën emergjente më të afërt, për të filluar hidrimin me infuzione dhe trajtimin intensiv me insulinë. Ndërsa në komën hipoglikemike familjarët mund të fillojnë me injektimet e ampulave të glukagonit, të cilat diabetikët duhet t’i kenë në shtëpi në këto raste dhe patjetër të kërkohet ndihma e mjekut.

Çfarë efektesh negative mund të shkaktojë hipoglikemia?
Hipoglicemia mund të ketë efekte negative në organe të ndryshme, por ato që e pësojnë më shumë, janë truri dhe zemra. Gjatë hipoglikemisë rritet veprimi i hormoneve të ashtuquajtura kontrarregullatore, të cilat japin vazokonstruksion, duke precipituar më tutje edhe infarktet e miokardit, si dhe çrregullime të ritmit të zemrës, ndaj mund të ndodhë edhe vdekja. Janë këto komplikime të lartcekura, që e bëjnë më serioze sëmundjen. Prandaj, për t’i shmangur këto, duhet vazhdimisht mbajtja nën kontroll e glikemisë.

stemcellsreprogrammedpic

Transplantimi dhe terapia me qeliza staminale
Deri më tani, arritjet që janë bërë sa i përket sëmundjes së sheqerit, kulminacioni i suksesit ka qenë transplanti i ishujve të pankreasit, që pas këtij intervenimi, ka bërë të mundur shërimin e plotë nga kjo sëmundje. Mirëpo një përqindje e vogël arrin t’i shpëtojë flakjes së këtij transplanti, edhe përkundrejt terapisë imunosupresive. Është një procedurë e shtrenjtë dhe ende nuk është e mundur tek ne.

Ndërsa sa i përket terapisë me qeliza staminale apo burimore (stem cells), të cilat i përkasin mjekësisë regjenerative, gjegjësisht arritjeve më të reja sa i përket trajtimit të diabetit, studimet janë bërë vetëm tek kafshët. Studimi me këto qeliza është bërë tek minjtë. Dua të sqaroj për lexuesit, që qelizat staminale kanë aftësinë e formimit dhe regjenerimit të qelizave tjera identike në organizëm. Ato janë qeliza të padiferencuara, të cilat pasi futen në organizëm, janë të gatshme të rigjenerojnë të gjitha llojet e indeve. Këto qeliza merren nga fetusi, kordoni umbilikal dhe palca kockore.

Në të ardhmen qelizat steminale që mund të përdoren për trajtimin e diabetit janë ato mezenkimale dhe endoteliale, të cilat pas futjes në organizëm, janë në gjendje të sekretojnë insulinë njëlloj si qelizat beta të ishujve të pankreasit. Për ta bërë këtë gjë të aplikueshme tek njerëzit, duhen studime mjaft të mëdha klinike. Por shpresat janë jashtëzakonisht të mëdha dhe deri më tani, këtu është e ardhmja e trajtimit të diabetit.

Qelizat burimore – e ardhmja për të shpëtuar nga diabeti
Përderisa kjo gjë duket ende shumë e largët, atëherë të shpresojmë t’i kemi ilaçet tjera të reja, që kanë hyrë në tregun botëror dhe po japin efekte mjaft të mira në mbajtjen nën kontroll të diabetit, si dhe insulina me veprim jashtëzakonisht të gjatë, deri në 72 orë, që i mundëson disa diabetikëve që të injektojnë insulinë çdo të tretën ditë, pra jo çdo ditë. Fatmirësisht, në Kosovë e Shqipëri janë në dispozicion insulinat analoge, të cilat kanë efekt jashtëzakonisht të mirë tek diabetikët që kanë nevojë trajtimin me insulinë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s